Kroacia do të dërgojë deri në 200 ushtarë në misionin KFOR në Kosovë
Forcat e Armatosura të Republikës së Kroacisë gjatë viteve 2027 dhe 2028 do të marrin pjesë në 11 misione për mbështetje të paqes dhe misione të tjera të aleancës së NATO-s dhe Bashkimit Evropian, për çfarë do të angazhohen më shumë se 500 ushtarë dhe do të ndahen rreth 85 milionë euro nga buxheti, bëri të ditur në Parlamentin kroat sekretari shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes, Tomisllav Galiq.
“Kroacia në vitin 2022 mbështeti krijimin e grupeve luftarake në kuadër të aktiviteteve të vigjilencës së përforcuar të NATO-s. Duke marrë pjesë në këto aktivitete, Forcat e Armatosura zhvillojnë aftësitë e tyre, rrisin nivelin e ndërveprueshmërisë me forcat e shteteve të tjera dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes kolektive”, deklaroi Galliq, përcjell Gazeta Sinjali.
Deri në 200 ushtarë në KFOR – “Rëndësi e drejtpërdrejtë për Kroacinë”
Propozimi i qeverisë për vendimet mbi pjesëmarrjen e ushtarëve në misionet e BE-së dhe NATO-s ka marrë pëlqimin e presidentit të Republikës, Zoran Millanoviq. Pjesa më e madhe e mjeteve financiare, rreth 50 milionë euro, është parashikuar për pjesëmarrje në aktivitetet e forcave tokësore të përparme të NATO-s, ku parashihet dërgimi i deri në 170 pjesëtarëve në Poloni me mjete luftarake të këmbësorisë, deri në 120 në Lituani dhe 220 në Hungari.
Ndërkohë, deri në 200 ushtarë kroatë do të shërbejnë në misionin e KFOR-it në Kosovë, ku forcat kroate janë të pranishme që nga viti 2009, ndërsa për këtë operacion janë parashikuar rreth 33 milionë euro.
“Operacioni për mbështetje të paqes KFOR ka rëndësi të drejtpërdrejtë për Kroacinë sepse ndodhet në fqinjësi të drejtpërdrejtë dhe përkeqësimi i sigurisë do të kishte pasoja për stabilitetin e Evropës Juglindore, përfshirë Kroacinë”, tha sekretari shtetëror.
Një numër më i vogël ushtarësh do të dërgohen në Mesdhe – në Greqi, Qipro, Indi, Pakistan dhe Liban – për çfarë janë ndarë rreth 2,5 milionë euro. Aktualisht, ushtria kroate merr pjesë me 379 pjesëtarë në pesë operacione paqeruajtëse dhe tri aktivitete të NATO-s.
Debat i ashpër për misionin NSATU dhe gjendjen në mbrojtje
Edhe pse pushteti dhe opozita mbështesin misionet e propozuara, diskutimi parlamentar u shoqërua me përplasje rreth mospjesëmarrjes së mëhershme në misionin NSATU për trajnimin e ushtarëve ukrainas. Përfaqësues të shumicës qeverisëse vlerësuan se ushtarët dhe oficerët kroatë janë privuar nga njohuri dhe teknologji të reja luftarake për shkak të ndalesës së presidentit Millanoviq dhe qëndrimit të opozitës.
Sekretari Galliq veçoi përvojat e ushtrisë ukrainase me përdorimin e robotëve në vijën e parë të frontit, transportimin e municionit me mjete autonome dhe platformat kundër dronëve, duke thënë se të tilla përvoja po shihen vetëm në YouTube.
Deputeti i HDZ-së, Ante Deur, tha se përmes këtyre misioneve Kroacia forcon reputacionin ndërkombëtar, ndërsa Nikola Mažar akuzoi opozitën për dezinformim lidhur me misionin NSATU. Nga ana tjetër, Arsen Bauk i SDP-së tha se partia e tij mbështet misionet paqeruajtëse, por vlerësoi se misioni NSATU kishte të bënte me trajnimin e ushtarëve ukrainas nga ana e forcave kroate dhe jo anasjelltas. Tomisllav Josiq nga Lëvizja Atdhetare theksoi rëndësinë e taktikave të reja si çështje të sigurisë kombëtare.
Ndërkaq, Zvonimir Troskot nga Most kritikoi sekretarin shtetëror për, siç tha, qasje politike, duke ngritur pyetjen se përse Kroacia nuk ka ambasador në NATO dhe pse ekziston mungesë besimi në krye të strukturës ushtarake.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/