Vdes foshnja e lindur para kohe pasi makina e nënës u godit nga hajdutët në arrati në Itali
26 Nëntor 2026 22:47
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Trevisos në Itali, ku një foshnjë e lindur para kohe, pas një aksidenti të shkaktuar nga një automjet në arrati, ka ndërruar jetë në spital.
Vogëlushja lindi më 14 nëntor, në muajin e tetë të shtatzënisë, përmes një lindjeje urgjente, pasi nëna e saj 22-vjeçare mbeti e plagosur në një aksident rrugor në Spresiano, në provincën e Trevisos.
Sipas hetimeve paraprake, automjeti ku udhëtonte e reja u përplas nga një makinë në të cilën dyshohet se ndodheshin disa persona të përfshirë në vjedhje, të cilët po tentonin t’i shpëtonin policisë. Në makinën e goditur ndodheshin gjithashtu motra e 22-vjeçares dhe partnerët e dy motrave.
Pas përplasjes, personat që ndodheshin në automjetin shkaktar të aksidentit dyshohet se janë larguar në këmbë përmes zonave rurale, duke braktisur makinën, raporton tch.
Nga hetimet ka rezultuar se automjeti i përdorur prej tyre ishte marrë me qira në Romë, duke përdorur dokumente të falsifikuara. Prokuroria e Trevisos ka nisur hetimet për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia në aksident rrugor, deri më tani ndaj personave të paidentifikuar.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta edhe në nivel institucional. Presidenti i rajonit të Venetos, Alberto Stefani, ka shprehur ngushëllimet për familjen, duke e cilësuar ngjarjen si një rast që përveç dhimbjes, shkakton edhe zemërim e indinjatë.
“Çfarë ka ndodhur është jashtëzakonisht e rëndë. Jemi përballë një sjelljeje kriminale që ka shkatërruar jetën e njerëzve të pafajshëm, duke përfshirë edhe një grua në muajin e tetë të shtatzënisë”, deklaroi Stefani.
Ai shtoi se një familje e pafajshme është detyruar të paguajë një çmim të papranueshëm për dhunën dhe papërgjegjshmërinë e personave që, për t’iu shmangur përgjegjësisë, kanë vënë në rrezik jetën e të tjerëve.
Ndërkohë, autoritetet italiane vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave përgjegjës për aksidentin tragjik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/