Haradinaj kritikon Vetëvendosjen: Veteranët e UÇK-së përjashtuar nga paga minimale
26 Nëntor 2026 11:47
Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë dhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke i akuzuar për hipokrizi në raport me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe veteranët e luftës.
Reagimi i Haradinajt erdhi pas shfaqjes në Kuvend të videos së daljes publike të UÇK-së, për çka ai tha se është paradoksale që në të njëjtën kohë veteranët e luftës janë përjashtuar nga paga minimale, me mbështetjen edhe të Listës Serbe.
“Edhe sot e pamë edhe e vërtetuam një tallava, patriotike. Pra, në Kuvend u shfaq videoja e daljes publike të UÇK-së, nga ata që bashkë me Listën Serbe i kanë përjashtuar veteranët e UÇK-së nga paga minimale”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka pretenduar se veteranët janë lënë në gjendje të rëndë ekonomike, ndërsa ka akuzuar pushtetin se po mashtron qytetarët përmes veprimeve që, sipas tij, bien ndesh me qëndrimet e shfaqura publikisht ndaj UÇK-së.
“Pra, kuptoni pse po reagoj, edhe të dashur qytetarë të vendit, këta janë mashtrues. Pra, e shfaqin videon, e daljes publike të UÇK-së, në të njëjtën kohë këta së bashku me Listën Serbe i kanë përjashtuar veteranët nga paga minimale dhe i kanë lënë në mjerim”, ka thënë ai.
Në fund, Haradinaj u bëri thirrje qytetarëve që, sipas tij, të mos i besojnë asaj që e cilësoi si mashtrim dhe pafytyrësi të pushtetit.
“Le ta besojnë të gjithë, pra, këtë pafytyrësi edhe këtë mashtrim të tyre”, shtoi Haradinaj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/