Katër arrestime për vrasjen e Arlinda Zekajt, ministri kërkon hetim të plotë
Sot janë arrestuar edhe katër të dyshuar të përfshirë në vrasjen e Arlinda Zekajt, në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme në një postim në Facebook, duke kërkuar vazhdimin e hetimeve deri në zbardhjen e plotë të rastit.
Ministri ka theksuar se duhet të hetohen jo vetëm kryesit e krimit, por edhe të gjithë ata që mund të kenë kontribuar apo lehtësuar kryerjen e tij.
Ai ka deklaruar se mbështet çdo hetim dhe veprim institucional që ndihmon në zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes dhe sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës.
Duke folur për vrasjen e grave, ministri ka thënë se këto krime nuk kanë asnjë justifikim dhe se autorët duhet të marrin dënimin maksimal të paraparë me ligj. Sveçla ka përmendur edhe dënimin me burgim të përjetshëm, të konfirmuar dje ndaj Naim Murselit për vrasjen e Liridona Ademajt duke e quajtur atë dëshmi e rëndësisë së ndëshkimit të merituar për krime të tilla .
“Mbetem në mbështetje të plotë të institucioneve tona në zbardhjen e çdo rrethane dhe në vënien para përgjegjësisë të secilit që ka pasur dijeni për rrezikun me të cilin përballej Arlinda, përfshirë edhe ata që, përballë kërkesës së saj për të jetuar e sigurt, madje edhe në pronën e saj, kanë zgjedhur të qëndrojnë spektatorë në vend se të veprojnë për mbrojtjen e jetës së saj”, është shprehur Sveçla.
Në fund, ai ka theksuar se asnjë përgjegjësi nuk duhet të mbetet pa u hetuar dhe asnjë shkelje pa u trajtuar sipas ligjit./Arbresh.info