Browse

Article • • 1 min read

Shërbimi Korrektues i Kosovës shënon 27 vjet me përparim të dukshëm në rehabilitim

Share Post

Shërbimi Korrektues i Kosovës po shënon 27-vjetorin e themelimit në një ceremoni solemne.

Në këtë ceremoni, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk është vetëm një institucion që administron vuajtjen e dënimit. Ai është një institucion që garanton sigurinë, mbron rendin, zbaton ligjin dhe kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Ajo po ashtu tha se, mbi të gjitha, ky institucion qëndron dhe funksionon falë njerëzve që çdo ditë i shërbejnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim.

Në këtë ceremoni, kryeministri Albin Kurti theksoi se gjatë këtyre viteve, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar përparim të rëndësishëm në profesionalizimin e stafit, avancimin e legjislacionit, modernizimin e infrastrukturës, forcimin e sigurisë, si dhe zgjerimin e programeve të rehabilitimit dhe risocializimit.

Kurti theksoi se institucionet korrektuese janë të domosdoshme për mbrojtjen e shoqërisë.

“Por, duhet të kemi gjithmonë parasysh se personat e burgosur apo të paraburgosur, ndonëse e humbin lirinë, nuk i humbin asnjëherë të drejtat e tyre. Këto të drejta duhet të mbrohen dhe respektohen nga të gjithë ne, pavarësisht funksionit apo përgjegjësisë që mbajmë”, tha Kurti.

Ai tha se progresi i Shërbimit Korrektues të Kosovës është dëshmuar edhe përmes vlerësimeve të rëndësishme ndërkombëtare.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka dëshmuar profesionalizëm, përkushtim dhe integritet, si dhe ka avancuar infrastrukturën dhe përafrimin me standardet bashkëkohore korrektuese.

Ajo ka vlerësuar edhe procesin e riintegrimit dhe risocializimit të personave të privuar nga liria, si dhe pjesëmarrjen e tyre në programet rehabilituese.

“Rezultate të kënaqshme ka arritur edhe procesi i riintegrimit dhe risocializimit të personave të privuar nga liria, pjesëmarrja e të burgosurve në programet rehabilituese dhe gatishmëria për respektimin e normave ligjore, e cila është tregues për parandalimin e përsëritjeve”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka theksuar se mbështetja për ShKK-në duhet të vazhdojë, me fokus në sigurinë, rehabilitimin dhe rikthimin e të dënuarve në shoqëri.

Në fjalën e saj, Gërvalla ka veçuar edhe kontributin e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe drejtorit të Përgjithshëm të ShKK-së, Ismail Dibrani, në transformimin e institucionit.