Browse

Article • • 1 min read

Afati i fundit për apelimin e dënimeve ndaj ish-krerëve të UÇK-së po afrohet

Share Post

Ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë kohë deri më 27 nëntor për të dorëzuar njoftimet për apel ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ky afat është caktuar nga Paneli i Apelit më 29 shtator 2026, pasi kishte shqyrtuar kërkesën e mbrojtjes për zgjatjen e kohës në dispozicion për përgatitjen e njoftimeve për apel.

Fillimisht, afati ishte caktuar më 16 tetor, por mbrojtja kishte kërkuar shtyrjen e tij deri më 15 dhjetor. Si arsye për këtë kërkesë ishin përmendur kompleksiteti dhe gjatësia e aktgjykimit, afatet e tjera procedurale, si dhe fakti që dokumenti ende nuk ishte përkthyer në gjuhën shqipe.

Paneli i Apelit e kishte pranuar pjesërisht kërkesën, duke vendosur një zgjatje prej gjashtë javësh dhe duke caktuar 27 nëntorin si afat përfundimtar për të dyja palët.

Aktgjykimi i shkallës së parë përmban gjithsej 2 mijë e 89 faqe dhe, sipas njoftimeve të gjykatës, është më i gjati i nxjerrë deri më tani nga Dhomat e Specializuara.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale dënoi ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi, me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.

Të katër ish-krerët u shpallën fajtorë për vepra të krimeve të luftës, ndërsa u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Megjithatë, aktgjykimi nuk është përfundimtar dhe mund të kundërshtohet përmes procedurës së apelit.

Me dorëzimin e njoftimeve deri më 27 nëntor, palët duhet të identifikojnë pjesët e aktgjykimit që synojnë t’i kundërshtojnë. Pas këtij hapi procedural, ato do të kenë edhe 60 ditë kohë për dorëzimin e dosjeve të plota të apelit, ku duhet të elaborojnë argumentet e tyre.

Ndërkohë, institucionet e Kosovës pritet që javën e ardhshme të punojnë në një ligj të ri që përcakton dhe përkufizon dispozitat dhe kompetencat e Dhomave të Specializuara.

Po ashtu, Qeveria ka formuar grupin punues shtetëror për apelimin e vendimit të Hagës, i cili deri më tani ka mbajtur dy mbledhje.