Kurti i Bën Thirrje Zelenskyt të Njohë Kosovën për të Kundërshtuar Pretendimet Ruse
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke argumentuar se një vendim i tillë do të kontribuonte në mbrojtjen e rendit ndërkombëtar dhe do të rrëzonte pretendimet e Rusisë për ta përdorur rastin e Kosovës si justifikim për aneksimin e territoreve.
Në një opinion të publikuar në gazetën ukrainase Kyiv Post, Kurti i është drejtuar drejtpërdrejt presidentit ukrainas, duke theksuar se pavarësia e Kosovës dhe aneksimi i Krimesë nga Rusia janë dy raste krejtësisht të ndryshme, si në aspektin historik, ashtu edhe në atë juridik e politik.
Kurti ka rikujtuar se Zelensky, në gusht të këtij viti, deklaroi se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar. Sipas tij, është domethënëse që ky deklarim u bë në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, të cilën ai e cilëson si një nga aleatët më të afërt të Rusisë.
Ai ka theksuar se Kosova, në anën tjetër, ka mbështetur vazhdimisht Ukrainën, duke dënuar agresionin rus, duke u përafruar me sanksionet e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, si dhe duke ofruar strehim për gazetarët ukrainas dhe ndihmë ushtarake e trajnime.
Kurti: Kosova nuk është precedent i Putinit
Në shkrimin e tij, Kurti ka kundërshtuar pretendimet e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili e ka përdorur pavarësinë e Kosovës për të justifikuar aneksimin e Krimesë. Sipas Kurtit, Putini nuk e ka përmendur Kosovën për shkak të respektimit të së drejtës ndërkombëtare, por për të diskredituar Perëndimin dhe për të krijuar përshtypjen se shtetet perëndimore zbatojnë standarde të dyfishta.
Kryeministri ka theksuar se vetëvendosja nuk mund të trajtohet si një koncept që zbatohet në mënyrë identike në çdo konflikt territorial. Ai ka rikujtuar se pavarësia e Kosovës ishte rezultat i një procesi të gjatë, që përfshiu represionin dhe aparteidin ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, luftën, spastrimin etnik, krimet dhe ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, si dhe negociatat e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare.
Kurti ka përmendur gjithashtu procesin e negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës, të udhëhequr nga Martti Ahtisaari, si dhe opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Thirrje Ukrainës për njohjen e Kosovës
Kurti ka argumentuar se njohja e Kosovës nga Ukraina nuk do të ishte një favor ndaj Prishtinës, por një veprim në mbrojtje të rendit ndërkombëtar që vetë Ukraina po përpiqet ta mbrojë përballë agresionit rus.
Ai ka theksuar se aneksimi i një territori përmes forcës ushtarake nuk mund të barazohet me pavarësinë e arritur pas luftës, administrimit ndërkombëtar dhe procesit diplomatik. Sipas tij, Kosova dhe Ukraina kanë orientim të përbashkët strategjik drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, ndërsa njohja e Kosovës nga Kievi do ta forconte këtë perspektivë të përbashkët.
Në përfundim të shkrimit, Kurti i ka bërë thirrje Zelenskyt që ta njohë Kosovën, duke kundërshtuar pretendimet e Putinit se pavarësia e Kosovës përbën precedent për pushtimin dhe aneksimin e territoreve. “Krimea është Ukrainë. Dhe Kosova është Kosovë”, ka përfunduar Kurti shkrimin e tij në Kyiv Post.