Anulohet Takimi për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030: Kryetari Rama Fajëson Qeverinë e Kosovës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas anulimit të takimit në Athinë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke ia atribuar përgjegjësinë mungesës së përgjigjeve, obligimeve të papërmbushura dhe moskonfirmimit me kohë të delegacionit të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka bërë të ditur se këto janë arsyet që, sipas njoftimit zyrtar të Komitetit Olimpik të Kosovës, kanë çuar në anulimin e takimit nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare.
Kryetari i Prishtinës ka shprehur shqetësimin për këtë zhvillim, duke theksuar se në takimin e planifikuar në Athinë duhej të bëheshin përpjekjet e fundit për të ruajtur mundësinë e organizimit të Lojërave Mesdhetare në Kosovë.
Ai ka kërkuar që kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës të japin llogari menjëherë për situatën, duke e cilësuar anulimin e takimit si “skandal” dhe “turp të shtetit tonë”./Arbresh.info