Presidentja Shiroka Pula Rikonfirmon Synimin Strategjik të Kosovës për Anëtarësim në NATO
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në ceremoninë e dhjetëvjetorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT).
Përmes një postimi në Facebook Presidenca ka bërë të ditur se Presidentja Shiroka Pula theksoi se NATO ka një vend të veçantë në historinë e Kosovës, duke rikujtuar kontributin e saj vendimtar në çlirimin e vendit më 1999, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye. Sipas Presidencës, ajo shprehu mirënjohjen e përhershme për këtë kontribut historik dhe nënvizoi se NATO mbetet simbol i lirisë dhe sigurisë së Kosovës.
“Presidentja Shiroka Pula ritheksoi se anëtarësimi në NATO është ndër synimet strategjike të Kosovës, ndërsa ambicia e vendit është zhvillimi i mëtejmë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, në mënyrë që ushtarët e saj një ditë të qëndrojnë krah për krah me ushtarët e vendeve aleate, duke kontribuar në sigurinë dhe paqen e përbashkët”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Sipas Presidencës, Shiroka-Pula ka vlerësuar kontributin dhjetëvjeçar të NALT-it në mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së dhe Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, përmes zhvillimit të kapaciteteve profesionale, strukturave institucionale, mbikëqyrjes demokratike dhe menaxhimit të emergjencave.
Në përfundim Presidenca potencoi se Presidentja Shiroka Pula ka falënderuar gjeneralin Borghoff dhe të gjithë pjesëtarët e NALT-it për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke i uruar për dhjetëvjetorin e themelimit të këtij ekipi./Arbresh.info