Browse

Article • • 1 min read

Kosova konfirmon 13,195 viktima lufte nga 1998-2000, thotë kryeministri Kurti

Share Post

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), ku nga drejtori Atdhe Hetemi ka pranuar Raportin Vjetor të Punës.

Pas takimit, Kurti ka vlerësuar të arriturat e Institutit, duke theksuar rëndësinë e punës së tij në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka përmendur publikimin e listës preliminare të viktimave të vrara gjatë luftës, në të cilën janë përfshirë 13 mijë e 195 persona të verifikuar për periudhën 1998-2000.

Sipas Kurtit, databaza e Institutit përditësohet çdo ditë, ndërsa rezultatet e reja të përditësimit pritet të publikohen në fund të janarit të vitit 2027.

Ndër të arriturat e tjera, kryeministri ka përmendur publikimin e vëllimit të parë shkencor nga shtëpia botuese ndërkombëtare “Routledge”, me 12 punime shkencore, si dhe organizimin e konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare, ku morën pjesë mbi 200 persona.

Ai ka bërë të ditur se Instituti ka zgjeruar bashkëpunimin ndërkombëtar, duke arritur në 21 marrëveshje me institucione partnere, krahasuar me shtatë në vitin e parë dhe dhjetë në vitin e dytë të punës.

Kurti ka përmendur edhe realizimin e mbi 127 intervistave me të mbijetuarit, në kuadër të projektit “Kujtesa e masakrave”, nga rreth 1 mijë intervista të planifikuara.

Sipas tij, mbledhja, digjitalizimi dhe verifikimi i materialeve dokumentuese po krijojnë një arkiv të rëndësishëm për ruajtjen e kujtesës historike, por edhe për sistemin e drejtësisë, veçanërisht për Prokurorinë e Shtetit.

Në fund, Kurti ka falënderuar drejtorin Atdhe Hetemi dhe stafin e Institutit për punën e tyre, duke theksuar rëndësinë e dokumentimit të krimeve për brezat e ardhshëm dhe për vendosjen e përgjegjësisë ndaj autorëve të tyre./Arbresh.info