Lutfi Dalipi zgjedh të mos luajë për Zvicrën, synon Shqipërinë ose Kosovën
Talenti 20-vjeçar i Vaduzit, Lutfi Dalipi ka marrë një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e tij ndërkombëtare. Ai ka vendosur që nuk do të luajë për Kombëtaren e Zvicrës, raportom mediumi i madh zviceran Blick.
Sipas këtij raportimi, Dalipi ka bërë një zgjedhje paraprake dhe emri i tij nuk figuron në listën e përzgjedhësit Murat Yakin për ndeshjet e ardhshme, shkruan Arbresh.info.
Përveç Zvicrës, futbollisti mund të përfaqësojë Portugalinë, Shqipërinë ose Kosovën, ndërsa dy federatat shqiptare thuhet se po bëjnë përpjekje të mëdha për ta bindur.
Dalipi, i cili është rritur në rajonin e Gruyère, po shkëlqen me Vaduzin në Superligën zvicerane. Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të njohura evropiane, përfshirë Stuttgartin, Hoffenheimin, Eintracht Frankfurtin dhe Salzburgun. Sipas raportimeve, disa klube janë të gatshme të paguajnë shuma dyshifrore në miliona euro për transferimin e tij.
Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin e ka vlerësuar talentin e mesfushorit, por ka theksuar se konkurrenca në repartin e mesfushës është e madhe. Dalipi, ndërkohë, ka refuzuar edhe ftesën e Zvicrës U21, duke mos dashur t’ia zërë vendin një futbollisti tjetër, pasi ka vendosur të mos vazhdojë me përfaqësuesen zvicerane.
Sipas “Blick”, Dalipi i ka premtuar gjyshit të tij se në të ardhmen do të luajë për Shqipërinë ose Kosovën. Vendimi përfundimtar pritet të merret në javët e ardhshme.
Me këtë zgjedhje, Federata Zvicerane e Futbollit rrezikon të humbasë një tjetër talent të rritur në vend, pas Leon Avdullahut, Albian Hajdarit dhe Alessandro Romanos.
Dalipi është ende nën kontratë me Young Boys deri në qershor të vitit 2030, ndërsa klubi synon ta shohë atë si pasues të Alvyn Sanches.
Lutfi Dalipi është duke shkëlqyer këtë edicion tek Vaduzi me pesë gola dhe nëntë asistime në 12 ndeshje të luajtura në Superligën zvicerane.
Mbetet të shihet nëse ai do të jetë surpriza e Franco Fodas për ndeshjet e nëntorit, që Kosova do t’i luaj ndaj Izraelit dhe Irlandës. Lista e selektorit dardan do të publikohet me shumë gjasë nesër.
Ndërkohë, sikurse presidenti i Federatës së Futbollitë të Kosovës, Agim Ademi ashtu edhe menaxheri Bajram kanë paralajmëruar ardhje të reja tek Kosova.
Gjatë ditëve në vijim do të mësohet nëse Lutfi Dalipi do të jetë njëri nga emrat./Arbresh.info