Ravanelli kërkon më shumë minuta për Zhegrovën te Juventusi
Fitorja e Juventusit ndaj Napolit ka rikthyer diskutimet për potencialin e skuadrës bardhezi. Ish-sulmuesi legjendar i klubit, Fabrizio Ravanelli, ka veçuar Edon Zhegrovën dhe Kerim Alajbegoviçin, duke kërkuar që të dy të kenë më shumë hapësirë në formacionin e Luciano Spallettit.
Duke folur në emisionin “Penna Bianca” në kanalin e Tuttosport në YouTube, Ravanelli ka theksuar se Juventusit i mungon personaliteti në momente të vështira. Ai ka vlerësuar veçanërisht paraqitjen e Alajbegoviçit, i cili la gjurmë në ndeshjen ndaj Napolit.
“Gjithmonë kemi thënë se Juventusit i mungon personaliteti. Mbrëmë, ndeshjen e vendosi një lojtar 19-vjeçar, prandaj ose e ke personalitetin, ose nuk e ke. Kur isha 17 vjeç, tashmë gjuaja penallti për Perugian në Serie C”, deklaroi Ravanelli.
Ish-sulmuesi vlerësoi jo vetëm golin e Alajbegoviçit, por edhe mënyrën se si ai kërkoi vazhdimisht topin dhe tentoi të krijonte epërsi për skuadrën.
Ravanelli u shpreh gjithashtu i habitur nga minutat e pakta që po merr Edon Zhegrova, duke kërkuar që reprezentuesi i Kosovës të jetë një prej lojtarëve kryesorë të Juventusit.
“Nuk mund ta kuptoj pse Zhegrova nuk arrin kurrë ta nisë ndeshjen si titullar. Duhet të sigurohemi që, edhe kur përballemi me vështirësi mendore, të mund të mbështetemi te njëri-tjetri, edhe kur të gjithë të tjerët fshihen. Nëse shkoj në luftë, dua lojtarë të tillë”, u shpreh ai.
Ravanelli kujtoi edhe aksionin e Zhegrovës në ndeshjen ndaj Napolit, që kontribuoi në realizimin e golit, duke insistuar se futbollistë të tillë duhet të jenë në fushë.
“Për mua, Zhegrova dhe Alajbegoviçi duhet të luajnë te Juventusi. Pastaj duhet ta përshtatim ekipin, por ata absolutisht duhet të jenë në fushë. Mendoj se Spalletti duhet të jetë i kënaqur me Alajbegoviçin, duke parë mënyrën se si reagoi.
Luciano e do sfidën dhe duhet ta ketë kuptuar se ka në dispozicion një lojtar me karizëm. Ai bëri gjëra që i bëjnë futbollistët e guximshëm, të cilët nuk e ndiejnë presionin”, përfundoi Ravanelli.
Deklaratat e ish-sulmuesit janë një tjetër vlerësim për Zhegrovën, i cili po synon të fitojë më shumë hapësirë në skuadrën e Spallettit./Arbresh.info