Pacolli Pretendon Ndërhyrje të Paligjshme në Pronësinë e Aeroportit të Vlorës në SPAK
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar pas qëndrimit për rreth shtatë orë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku tha se ka paraqitur fakte dhe dokumente lidhur me çështjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Në një postim, Pacolli deklaroi se para hetuesve ka shpjeguar rrethanat që lidhen me atë që e cilësoi si ndërhyrje të paligjshme në strukturën e pronësisë, shpërfillje të vendimeve gjyqësore dhe cenim të pronës private, transmeton Arbresh.info
“Deshmija dhe denoncimet e mija ne SPAK! Sot pata mundësinë të paraqitesha për rreth 7 orë para Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku paraqita në mënyrë të detajuar faktet, dokumentet dhe rrethanat e asaj që ka ndodhur dhe po ndodh me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. E vlerësoj këtë mundësi dhe jam i kënaqur që mundëm të sjellim përpara organit kompetent të vërtetën e plotë mbi ndërhyrjet e paligjshme në strukturën e pronësisë, shpërfilljen e vendimeve gjyqësore dhe cenimin e pronës private”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Ai u shpreh se beson në drejtësinë në Shqipëri dhe pret që institucionet kompetente të veprojnë në mënyrë të pavarur për të garantuar respektimin e ligjit.
Pacolli shtoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me SPAK-un dhe institucionet e tjera deri në sqarimin e plotë të çështjes dhe mbrojtjen e të drejtave të tij ligjore.
“Nuk e kam humbur shpresën se në Shqipëri po bëhet drejtësi. Besoj se institucionet e drejtësisë do të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe do të garantojnë respektimin e ligjit. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë plotësisht me SPAK dhe me çdo institucion kompetent, deri në sqarimin e plotë të së vërtetës dhe mbrojtjen e të drejtave tona ligjore. Askush nuk është mbi ligjin. Prona private dhe vendimet e gjykatave duhet të respektohen”, tha në fund Pacolli./Arbresh.info