Shaip Kamberi Feston Arritjen Historike: Dy Mandate për Shqiptarët në Kuvendin e Serbisë
Kryetari i listës “Koalicioni Shqiptar”, Shaip Kamberi, ka vlerësuar si arritje historike sigurimin e dy mandateve për shqiptarët në Kuvendin e Serbisë, ndërsa ka thënë se janë në garë edhe për mandatin e tretë.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Kamberi, “Koalicioni Shqiptar” ka marrë 27.230 vota, të cilat, pas aplikimit të koeficientit prej 35 për qind për pakicat kombëtare, përllogariten si 36.761 vota për ndarjen e mandateve.
Në një postim, Kamberi ka falënderuar qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për besimin, si dhe subjektet politike për bashkimin.
“ARRITJE HISTORIKE! Dy mandate për shqiptarët në Kuvendin e Serbisë, në garë për të tretin! Sipas rezultateve preliminare, “Koalicioni Shqiptar” ka marrë 27.230 vota, që me rritjen prej 35% të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare japin vlerën llogaritëse prej 36.761 votash. Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz. Si prijës i listës, falënderoj secilin qytetar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për besimin, të gjitha subjektet politike për bashkimin dhe Kryeministrin Albin Kurti për angazhimin e tij. Bashkë në zgjedhje, bashkë në përfaqësim, bashkë për të drejtat tona!”, ka shkruar Kamberi./Arbresh.info