Reagimi i Edi Ramës ndaj deklaratës së diskutueshme të ministres serbe
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar mbi deklaratën e ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snežana Paunoviç, e cila deklaroi për mediet në Serbi “se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit do ta spastronte etnikisht Kosovën në vitin 1998”
Në një postim në rrjetin social X, Rama shkruan se nuk është detyrë e çdo institucioni dhe autoriteti shqiptar të reagojë ndaj çdo “idiotësie” të thënë në Serbi, sidomos kur ato vijnë nga figura të dorës së dytë e të tretë.
“Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën e që kërkojnë edhe hesap pse nuk reagon ky e ai!”, shkruan Rama.