Lëvizja e guximshme e Behgjet Pacollit: Letra drejtuar Ministrisë ngjall vëmendje
15:58 |
28 Qershor 2026
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka publikuar letrën e radhës drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, përmes së cilës kërkohet të mundësohet hyrja në terminal e specialistëve të MABCO-s dhe e nënkontraktorëve të saj, me qëllim përfundimin e punimeve të mbetura dhe fillimin e procesit të certifikimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Sipas Pacollit, kërkesa vjen në funksion të transparencës dhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, e cila, sipas tij, ka konstatuar paligjshmërinë e masave që penguan ushtrimin e të drejtave të MABCO-s, duke rrëzuar vendimet mbi të cilat u mbështet bllokimi i projektit, shkruan Arbresh.info.
“Të dashur miq, Për hir të transparencës, po publikojmë edhe letrën e radhës që i kemi drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përmes së cilës kërkojmë që të mundësohet hyrja në terminal e specialistëve të MABCO-s dhe e nënkontraktorëve të saj, me qëllim përfundimin e punimeve të mbetura dhe fillimin e procesit të certifikimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.”, ka shkruar Pacolli.
Megjithatë, ai thekson se, pavarësisht këtij vendimi, edhe sot vazhdon të pengohet hyrja në kantier dhe zbatimi i plotë i vendimit të Gjykatës së Lartë.
Pacolli shprehet se transparenca, respektimi i ligjit dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore janë rruga e vetme për të përfunduar këtë investim strategjik në interes të qytetarëve dhe të Republikës së Shqipërisë.
“Siç tashmë është e njohur, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë ka konstatuar paligjshmërinë e masave që penguan ushtrimin e të drejtave të MABCO-s, duke rrëzuar vendimet mbi të cilat u mbështet bllokimi i projektit.Pavarësisht kësaj, edhe sot vazhdon të pengohet hyrja në kantier dhe zbatimi i plotë i vendimit të Gjykatës së Lartë. Ne besojmë se transparenca, respektimi i ligjit dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore janë rruga e vetme për të përfunduar këtë investim strategjik në interes të qytetarëve dhe të Republikës së Shqipërisë.”, shtoi ai./Arbresh.info