Browse

Article 1 min read

Presidenti apo Qeveria: Zbulimi Befasues i Gjykatës Kushtetuese

Share Post

Zgjedhjet përfunduan, por kriza ende jo. Vendi tani duhet ta zgjedhë Presidentin e ri dhe sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, kjo duhet të nisë menjëherë, me t’u konstituuar Kuvendi. Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, thotë se ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu nuk mund ta dekretojë mandatarin e ri për kryeministër, por shton se nuk do të çuditej nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti do të ndërmarrë “veprime antikushtetuese e antiligjore”.

Gazeta Express

Gjykata Kushtetuese në fund të marsit kishte dhënë 34 ditë afat për zgjedhjen e Presidentit, që si përfundim nuk u bë dhe vendi shkoi sërish në zgjedhje – të tretat brenda rreth një viti e gjysmë.

Këtë herë, arsyeja ishte moszgjedhja e Presidentit. Dhe nga këtu, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se duhet të nisë puna pas konstituimit të Kuvendit.

“Menjëherë duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Pra, Kuvendi Kosovës që konstituohet nuk mund të ketë asgjë tjetër në agjendë pos propozimet për Presidentin e Republikës”, tha ai.

Në aktgjykimin e fundit kur Kushtetuesja vendosi afatin për zgjedhjen e Presidentit, përmendet edhe afati në kontekst të zgjedhjes së shefit të shtetit kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional.

Paragrafi 162 i atij aktgjykimi thotë se me t’u konstituuar Kuvendi, duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit.

“Në kontekstin specifik të rrethanave të një Kuvendi të shpërndarë dhe ende të pakonstituuar, Gjykata bazuar në interpretimin si më lart dhe qëllimin e normave kushtetuese, të përcaktuara përmes nënpikës 3 të paragrafit 1 të nenit 82 ndërlidhur me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, vlerëson se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në aktgjykim.

Gjykata Kushtetuese thotë në aktgjykimin e fundit se më herët nuk kishte specifikuar shprehimisht rrethanën se kur fillon dhe kur përfundon procedura e zgjedhjes së Presidentit të ri, në rrethanat kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional.

Hasani thotë se “asnjë praktikë e mëparshme më nuk ka fuqi dhe relevancë pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese”.

“Ato praktika duhet të harrohen dhe të zbatohet aktgjykimi fundit i Gjykatës Kushtetuese që e ka shpallur tërërsisht jokushtetues dhe pa asnjë vlerë dekretin për shpërndarjen skandaloze të Kuvendi të Kosovës të zonjës Vjosa Osmani”, tha ai.

Hasani, autor i disa librave për gjyqësinë dhe të drejtën kushtetuese, argumenton qëndrimin e tij duke kujtuar se “edhe në aspektin politik, dihet që Kosova ka shkuar në zgjedhje për shkak të mozgjedhjes Presidentit të Republikës”. Prandaj, thotë ai, “do të ishte absurd që një legjislaturë e re e dalur nga zgjedhjet me një aktgjykim të qartë të Gjykatës Kushtetuese ta lejonte Ushtruesen e Detyrës së Presidentit ta dekretonte mandatarin e ri”.

Sipas Kushtetutës, Presidenti e emëron kandidatin për kryeministër të vendit, i cili më pas ka një afat kohor për krijimin e një shumice parlamentare që do ta zgjidhte qeverinë.

“Nëse zonja Albulena Haxhiu e dekreton zotin Kurti dhe askush nuk e sfidon dekretin e saj në Gjykatën Kushtetuese, atëherë gjërat do të vazhdojnë si më parë, në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe, rrjedhimisht, në mënyrë jokushtetuese. Një gjë e tillë nuk do të më çudiste fare, duke pasur parasysh historikun e zotit Kurti, i cili, në pjesën dërrmuese të rasteve, ka marrë vendime dhe ka ndërmarrë veprime antikushtetuese e antiligjore”, tha Hasani.

Drejtori i Institutit Kosovar për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja, subjektet politike duhet të arrijnë një marrëveshje të shpejtë për formimin e institucioneve, meqë, sipas tij afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit prej 60 ditësh aktivizohet në ditën kur konstituohet Kuvendit.

“Çfarë kuptimi ka ta votosh qeverinë e pas 60 ditëve të shkojmë në zgjedhje”, tha Miftaraj.

Para zgjedhjeve për çështjen e Presidentit në disa raste ka folur edhe ambasadori britanik Jonathan Hargreaves.

“U pajtuam që Kosova duhet ta zgjedh Presidentin menjëherë pas këtyre zgjedhjeve”, kishte thënë diplomati pas takimit me nënkryetaren e LVV-së.

Pas një takimi tjetër me U.D.Presidenten Albulena Haxhiu Hargreaves kishte potencuar rëndësinë që Kuvendi të mund ta zgjedh Presidentin pas zgjedhjeve “për t’i eliminuar zgjedhjet e mëtejme dhe mundësitë e humbura për Kosovën”.

Gjykata që është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës në vend, ka thënë se afati për zgjedhjen e Presidentit të ri jo më vonë se 30 ditë para se t’i përfundojë mandati Presidentit aktual, “është detyrues dhe përfundimtar, dhe se marrë për bazë karakterin detyrues të këtij afati, i njëjti nuk mund të relativizohet”. Por, në kontekstin konkret – meqenëse Kuvendi nuk kishte qenë i konstituuar 60 ditë para afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit – pra nuk i ka pasur në dispozicion 60 ditët prej kur duhej të fillonte procedura – u kishte dhënë deputetëve edhe 34 ditë afat për ta kryer këtë punë.

Kushtetuesja ka theksuar në atë aktgjykim se përcaktimi i mandatit 4 vjet për Kuvendin dhe 5 vjet për Presidentin, “synon të garantojë vazhdimësinë e funksionimit institucional dhe të parandalojë krijimin e vakumeve institucionale, te cilat do të mund të shkaktonin pengesa ose kriza në funksionimin kushtetues të institucioneve shtetërore”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon që certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit ta bëjë deri më 6 korrik. Sipas Kushtetutës së vendit, seanca konstituive duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.