Browse

Article 1 min read

Pse mijëra kërkojnë burg për liderët e Shqipërisë?

Share Post

Tirana është përfshirë sërish nga revolta popullore, ku për të dytën ditë radhazi mijëra qytetarë kanë mbushur rrugët e kryeqytetit. Tubimi i sotëm, i cili nisi fillimisht përpara Ministrisë së Brendshme, u pasua nga një marshim masiv në këmbë drejt bulevardit kryesor, duke u ndalur para godinës së Kryeministrisë.

Me thirrjet e fuqishme “Dorëheqje!” që bënin jehonë para zyrës së kreut të qeverisë, protestuesit kanë shprehur indinjatën e tyre të thellë ndaj projekteve që prekin Zvërnecin. Në duart e qytetarëve spikasnin pankarta me mesazhe të qarta si “Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Anulo projektin”.

Ajo që ra në sy gjatë këtij tubimi ishte një distancim i prerë i qytetarëve nga e gjithë klasa e vjetër politike. Përtej kauzës mjedisore dhe pronësore, protesta mori edhe nuanca të forta politike përmes slloganeve të drejtpërdrejta si “Rama në burg, Berisha në burg”.

Protestuesit bënë përgjegjës si Partinë Socialiste, ashtu edhe Partinë Demokratike, duke akuzuar të dy krahët e politikës si bashkëfajtorë për situatën e krijuar dhe për atë që po ndodh me hapësirat publike e natyrore në Zvërnec.

Kjo është protesta e dytë radhazi brenda dy ditësh që mobilizon një numër kaq të madh njerëzish. Vetëm një ditë më parë, mijëra qytetarë iu përgjigjën thirrjeve të shpërndara në rrjetet sociale, duke organizuar një tubim-marshim që nisi fillimisht përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, vijoi drejt Ministrisë së Brendshme dhe u përmbyll me të njëjtën vendosmëri përpara Kryeministrisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.

JOQ Sondazh

KLIKO PËR TË VOTUAR